Ka nisur ceremonia e betimit të ministrave të rinj, të cilët marrin zyrtarisht detyrë para presidentit, ceremoni e cila po mbahet në Pallatin e Brigadave.
Në seancën plenare të së enjtes, e cila nisi dhe përfundoi me rrëmujë, ata u votëbesuan mes kaosit pasi Berisha dhe deputetë të tjerë të PD zaptuan foltoren.
Ministrat e rinj janë Ferit Hoxha, i cili është ministër i Jashtëm pas largimit të Elisa Spiropalit; Enea Karakaçi i cili zëvendëson Belinda Ballukun te Infrastruktura dhe Energjia, si dhe Ermal Nufi si ministër i Mbrojtjes duke larguar Pirro Vengun. Gjithashtu Eriona Ismaili zëvendëson Toni Gogun si ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Hoxha, Karakaçi dhe Nufi, që vijnë rishtazi në qeveri, votëbesimin e ndoqën nga lozhat e Kuvendit.
Për ministrat e rinj dhe Albana Koçiun zv.kryeministre, Toni Gogun Ministër të Drejtësisë, Besfort Lamallarin të Brendshëm, Erjona Ismailin Ministre Shteti për Parlamentin, votës së socialistëve iu bashkuan edhe kartonët jeshilë të deputetëve të Partisë Social-Demokratike.
Kuvendi votoi edhe shkarkimet e tashmë ish-ministrave, me dekretin për Belinda Ballukun që më shumë se të tjerët mori shumicë të cilësuar, 85 vota pro shkarkimit.











