Policia e Tiranës ka mobilizuar të gjitha masat për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë ndeshjes së sotme mes ekipeve Partizani dhe KF Tirana, që do të zhvillohet në stadiumin “Arena Kombëtare” në orën 16:30.
Nga ora 14:00 deri në fund të ndeshjes, disa segmente rrugore si Sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini” dhe rruga “Dervish Hima” do të bllokohen për të garantuar një ambient të sigurt.
Tifozët e Partizanit do të lëvizin nga zona e Inxhinierisë, përmes rrugëve “21 Dhjetori” dhe “Gjergj Filipi”, drejt tribunës N.
Tifozët e KF Tiranës do të nisen nga Sheshi “Skënderbej”, duke kaluar nëpër rrugë të caktuara dhe duke arritur në hyrjet V–S të stadiumit. Policia do të monitorojë lëvizjet dhe nuk do të lejojë grumbullime apo kalime jashtë itinerarëve të përcaktuar.
Do të kryhen kontrolle strikte për të parandaluar hyrjen e sendeve të rrezikshme, përfshirë armë, lëndë piroteknike dhe objekte të tjera të ndaluara. Të gjithë tifozët duhet të kenë dokument identifikimi; ata që nuk e plotësojnë këtë kriter nuk do të lejohen të hyjnë.
Fëmijët nën 16 vjeç, që kanë biletë, duhet të jenë nën mbikëqyrjen e një prindi ose kujdestari ligjor. Tifozët e identifikuar si problematikë në aktivitete sportive të tjera janë të ndaluar nga hyrja.
Policia e Tiranës bën thirrje për mirëkuptim nga tifozët dhe qytetarët, duke theksuar se këto masa kanë si qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë këtij aktiviteti sportiv me rëndësi të madhe për të dy ekipet dhe tifozët e tyre.










