Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare themeluesi i Lega-s, Umberto Bossi. Ministër, senator, deputet dhe eurodeputet i Republikës, themelues i Lega Nord, i së cilës ishte sekretar federal deri në vitin 2012 dhe më pas president i përjetshëm; ka qenë gjithashtu ministër i Reformave për federalizmin. U zgjodh për herë të parë në Senat në vitin 1987. Hyri për herë të parë në qeveri në vitin 2001, kur u emërua ministër për reformat institucionale dhe devolucionin në qeverinë Berlusconi II.
Lidhja e Umberto Bossit me Shqipërinë është se djali i tij, Renzo Bossi, para shumë vitesh rezultonte i diplomuar tek Universiteti ‘Kristal’, pavarësisht se nuk kishte ardhur ndonjëherë në vendin tonë.
Ekzistojnë disa dëshmi për angazhimin e Bossit në të majtën politike në vitet e rinisë. Takimi me idetë autonomiste dhe federaliste ndodhi rastësisht në vitin 1979, në moshën 38-vjeçare, kur në Universitetin e Pavisë vuri re një njoftim të Union Valdôtaine, parti autonomiste e Valle d’Aosta, ku njohu liderin Bruno Salvadori, duke vendosur menjëherë t’i bashkohej kauzës së tij dhe duke u angazhuar për krijimin e një rrjeti lëvizjesh autonomiste në Italinë veriore. Në të njëjtin vit njohu Roberto Maroni, me të cilin nisi një bashkëpunim të gjatë politik.











