Napoli është finalisti i parë i Superkupës së Italisë, pasi ka mposhtur bindshëm AC Milanin me rezultatin 2–0 në gjysmëfinale, duke eliminuar kështu edhe mbajtësit aktualë të trofeut.
Skuadra napolitane e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 39-të, kur David Neres përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së Milanit dhe dërgoi topin në rrjetë. Pas pushimit, kontrolli i ndeshjes mbeti në duart e Napolit, i cili e vulosi fitoren në minutën e 63-të me golin e sulmuesit Rasmus Højlund, duke i hequr çdo shpresë rikthimi Rossonerëve.
Me këtë sukses, Napoli siguron biletën për në finale, ku do të përballet me fituesin e gjysmëfinales së dytë mes Bolognës dhe Interit, e cila luhet nesër, më 19 dhjetor, në orën 20:00 (CET). Finalja e madhe është planifikuar për të hënën, më 22 dhjetor.
Superkupa e Italisë po zhvillohet në Arabinë Saudite, ku Napoli tashmë pret të mësojë kundërshtarin e radhës për të luftuar për trofeun.










