Një denoncim anonim ka mbërritur në redaksinë e Ilirianews.al, ku ngrihen pretendime të forta ndaj drejtuesit të sapoemëruar të AKUK, Arnold Pashollari.
Autori i mesazhit, një inspektor brenda strukturës dhe që kërkon të mbetet anonim për shkak të frikës nga pasojat, shkruan se “prej 2 muajsh gjendemi në presion të vazhdueshëm dhe kërcënime me vendin e punës”.
Sipas denoncimit, disa punonjës janë larguar pa paralajmërim: “Rreth 10 punonjës u hoqën javën që shkoi me një të rënë të lapsit, sepse nuk iu bindën makinacioneve të eprorit.”
Pretendimet përfshijnë gjithashtu kërkesën për kthimin e dietave në zyrën e drejtorit dhe përdorimin e automjeteve private gjatë inspektimeve, ndërkohë që në dokumentacion figurojnë automjetet e institucionit. “Në urdhrat e punës shkruhen makinat e institucionit, por kemi lëvizur me makinat tona drejt Lezhës dhe Shkodrës,” thuhet në mesazh.
Sipas denoncimit, gjatë inspektimeve “përgjegjësve të grupeve u kërkohet t’u japin bizneseve numrin e drejtorit me qëllim që t’i zgjidhë ai pas pune”. Megjithë numrin e lartë të inspektimeve, nuk janë marrë masa administrative.
Denoncuesi kërkon verifikim të situatës nga institucionet përkatëse, duke theksuar se “po na rrezikohet buka e fëmijëve” dhe se ekziston frikë për hakmarrje nëse identiteti bëhet publik.
/ilirianews.al









