Juristi Skender Musa ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për tentativën e tij për të kritikouar Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, pas tensioneve ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Ramës në prag të një proteste në Tiranë. Këtë protestë e organizoi LVV për të mbështetur ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Musa e përshkroi këtë veprim si një politikë të dobët, duke theksuar se Kurti nuk ka kapacitetin intelektual dhe politik për t’u krahasuar me Ramën.
Ai argumentoi se është e paarsyeshme që një lider të kritikojë një tjetër lider të fortë si Rama, duke theksuar se ai ka një kuadër më të avancuar intelektual dhe lidhje më të forta me Evropën dhe botën. “Edi Rama ka një nivel më të lartë të lidhjeve ndërkombëtare, sesa Kurti,” tha Musa në programin “Konfront” të KTV-së.
Musa theksoi se Kurti ka përfituar nga marrëdhëniet që janë krijuar me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, por që perceptimi aktual mbi këto raporte nuk është pozitiv. Ai kritikoi përfaqësimin diplomatik të Kosovës në vitet e fundit, duke konsideruar vizitat e presidentes Vjosa Osmani si “të parëndësishme dhe më tepër për të bërë reklamë”. Sipas tij, Kosova është përfaqësuar keq në vendet e BE-së dhe në SHBA.
Një tjetër aspekt i tensioneve më Ramën është akuza e Lëvizjes Vetëvendosje që ai ka qenë lobues për themelimin e Gjykatës Speciale në Hagë, një akuzë që Rama e ka quajtur politizim të situatës për shkak të garës për balotazhin në Kosovë. Kjo situatë ka theksuar përplasjet e brendshme dhe distancimin mes liderëve shqiptarë, ndaj dhe mosmarrëveshjet gjatë këtyre kohëve po shfaqin një klimë tejet tensionuese në politikën shqiptare.











