Shqiptari i Kosovës, Vedat Muriqi, dhuroi një nga momentet më emocionale të sezonit në La Liga, pasi i dha Mallorcës fitoren 2-1 ndaj Real Madrid me një gol në minutën e 91-të. Menjëherë pas golit vendimtar, sulmuesi i Kosovës nuk i mbajti dot lotët, duke treguar sa shumë peshë emocionale mbante mbi vete.
Pas ndeshjes, Muriqi foli hapur për periudhën e vështirë që ka kaluar javët e fundit. Ai pranoi se, edhe pse nga jashtë mund të duket i ashpër dhe i pathyeshëm, në të vërtetë është një njeri që ndjen fort emocionet. Sulmuesi tregoi se vinte pas penalltisë së humbur ndaj Elche dhe pas zhgënjimit të madh me Kosovën, që humbi finalen për kualifikimin në Kupën e Botës kundër Turqisë .
Pikërisht për këtë arsye, goli ndaj Real Madrid kishte një peshë të veçantë. Në një moment kur Mallorca po luftonte për mbijetesë dhe ndeshja dukej se po shkonte drejt barazimit, Muriqi gjeti forcën për të shënuar golin e fitores dhe për të ndezur stadiumin. Me këtë realizim, ai jo vetëm që ndihmoi ekipin të dalë nga zona e rrezikut, por vazhdon edhe garën për “Pichichi”, ku ndjek nga afër Mbappé.
Vetë Muriqi e pranoi se, para ndeshjes, pak kush besonte se Mallorca mund të merrte pikë ndaj Real Madrid. Pikërisht kjo e bën edhe më të madhe këtë fitore, që mund të vlejë shumë në fundin e sezonit. Për Mallorcën ishte një triumf shprese, ndërsa për Muriqi ishte çlirimi i një dhimbjeje të madhe.











