Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke iu përgjigjur kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, pas deklaratave të këtij të fundit për mungesën e saj në seancën për votimin e imunitetit të Belinda Balluku.
Balla u shpreh se vendimet nuk i merr i vetëm, por në bashkëpunim me grupin parlamentar, duke theksuar se çështja do të diskutohet brenda forumit përkatës.
“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, u shpreh ai.
Në reagimin e saj, Spiropali shkruan: “Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë”.
Situata vjen në një moment kur marrëdhëniet brenda shumicës janë komentuar shpesh për lëkundje, ndërsa vetë Spiropali u largua nga posti i ministres nga kryeministri Edi Rama.











