Ditën e sotme, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit përgjatë vijës bregdetare dhe ultësirës perëndimore, me intensitet të ulët. Pas orëve të mëngjesit, reshjet do të shtrihen gradualisht në të gjithë vendin, me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa herë pas here priten shtrëngata afatshkurtra.
Në zonën e veriperëndimit, nga mesdita dhe deri në orët e vona të mbrëmjes, reshjet e shiut do të jenë herëpashershme me intensitet mesatar deri të lartë. Në intervale të shkurtra kohore, reshjet do të shfaqen në formën e shtrëngatave, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë kryesisht nga juglindja në jugperëndim, me shpejtësi mesatare deri në 9 m/s, ndërsa herë pas here pritet të forcohet deri në 18 m/s, kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe gjatë zhvillimit të vranësirave.
Valëzimi në det do të jetë i forcës 2–4 ballë.
Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 15°C në Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Sarandë, ndërsa temperaturat minimale do të zbresin deri në 2°C, kryesisht në Korçë.










