Disa komuna në Kosovë janë përballur me vërshime, të cilat kanë shkaktuar dëme materiale në pronat private të qytetarëve dhe në infrastrukturën rrugore. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi më herët gjatë 6 janarit se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.
IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërprera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.
“Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi institucionet për reagimin ndaj vërshimeve për mbrojtjen e “jetës dhe pronës”.
“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, shkroi ajo në Facebook.
Osmani tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri që të ofrojë mbështetje “nëse paraqitet nevoja”.
Përmbytjet në disa rrugë bënë që Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.
Në Drenas, KEDS tha se “uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.
Më vonë, autoritetet njoftuan se furnizimi me energji elektrike u rikthye pas krijimit të kushteve të sigurta për ndërhyrje të KEDS-it.
Përveç telasheve me rrymë, qytetarët u përballën edhe me ndërprerje të ujit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” gjatë ditës tha se ka ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë për shkak të “ngritjes së nivelit të lartë të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit”.
“Kjo masë po ndërmerret për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijes, në përputhje me standardet teknike dhe shëndetësore në fuqi”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.
Ngjashëm, për reduktime në furnizim me ujë njoftoi edhe KRU “Prishtina” për Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë.
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, komuna apeloi për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.
Në rrjete sociale, banorë, zyrtarë komunalë dhe media lokale të qyteteve të ndryshme kanë publikuar foto e video që tregojnë përmbytjet.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se situata më Malishevë është “nën kontroll” dhe se ishin evakuuar banorët nga zonat e rrezikuara.
Në këtë komunë, për shkak të situatës së krijuar, drejtoria e arsimit njoftoi se ka vendosur që gjysmëvjetori i dytë të shtyhet deri më 12 janar.
Komuna e Junikut ka krijuar shtabin emergjent pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Edhe kjo komunë, sikurse Malisheva, ka shtyrë deri më 12 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë.
“I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare”, tha kjo komunë në një njoftim të publikuar në Facebook.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit.
Megjithatë, IKSHPK-ja rekomandoi që qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarët e pambrojtur, ta valojnë ujin para se ta përdorin, dhe ushqimi që ka pasur kontakt me ujin e shiut të mos konsumohet.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./REL











