Për shkak të motit të keq dhe reshjeve intensive të shiut, janë regjistruar rrëshqitje dherash në aksin rrugor Prekal-Ura e Shtrenjtë, duke sjellë bllokimin e plotë të qarkullimit.
Si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga rrëshqitjet, rruga është aktualisht e pakalueshme për mjetet. Në terren ndodhen ekipet e Bashkisë Shkodër dhe strukturat e Emergjencave Civile, të cilat po monitorojnë nga afër situatën dhe po punojnë për vlerësimin e dëmeve dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.
Autoritetet u bëjnë apel banorëve dhe drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjen në këtë aks rrugor, për shkak të rrezikshmërisë së lartë, deri në një njoftim të dytë.
Bashkia Shkodër bën me dije se do të vijojë informimin e publikut në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm.










