Në një intervistë të gjatë për Corriere della Sera, Luka Modrić ka rrëfyer detaje interesante nga karriera e tij dhe arsyet që e çuan drejt një kapitulli të ri në Serie A, ku po duartrokitet javë pas jave në çdo stadium.
Mesfushori kroat zbuloi se simpatia e tij për Milanin është e hershme dhe lidhet me idhullin e fëmijërisë, Zvonimir Boban. “Isha tifoz i Milanit për shkak të Bobanit… Nuk isha as 13 vjeç kur babai më dha një kostum sportiv të Milanit. Jeta të surprizon gjithmonë. Isha i bindur se do ta mbyllja karrierën te Real Madridi, por në vend të kësaj… Gjithsesi, kam menduar gjithmonë: nëse do të luaja ndonjëherë për një ekip tjetër, do të ishte Milani. Jam këtu për të fituar,” u shpreh Modrić.
Duke folur për krahasimet me yje të tjerë, ai përmendi respektin për Andrea Pirlo-n, por tha se një tjetër figurë e kishte frymëzuar shumë: “Pirlo është gjashtë vite më i madh, ai hapi rrugën. Por idhulli im, përveç Bobanit, ishte Francesco Totti… Serie A kishte lojtarë të jashtëzakonshëm. I shikoja dhe thosha: ky është futbolli që dua të luaj.”
Modrić u ndal edhe te trajnerët që kanë ndikuar në rrugëtimin e tij. Për Allegri-n tha se ka “personalitet të jashtëzakonshëm” dhe e krahasoi në disa aspekte me Ancelotti-n, ndërsa për “Carletto”-n u shpreh pa hezitim: “Është numri një, për karakterin, jo vetëm për cilësitë si trajner.” Për Mourinho-n, Modrić theksoi rolin vendimtar në transferimin e tij te Real Madridi: “Ai ishte njeriu që më deshi te Reali. Pa Mourinhon, s’do ta kisha bërë kurrë atë hap.” Madje kujtoi edhe anën e tij të drejtpërdrejtë në dhomën e zhveshjes, duke thënë se portugezi ishte i ashpër, por i drejtë dhe i trajtonte njësoj yjet dhe lojtarët e rinj.
Në fund, Modrić foli edhe për një figurë kyçe të hershme në karrierën e tij, trajnerin Tomo Basic, që – sipas tij – i mësoi si të përballonte padrejtësinë dhe momentet e vështira, kur e konsideronin “shumë të vogël dhe të brishtë” për futboll profesionist. “Ajo që ka rëndësi është çfarë mendon ti për veten, jo çfarë thonë të tjerët,” kujtoi Modrić mesazhin që e ndihmoi të mos dorëzohej.
Sa i përket debatit të përjetshëm Ronaldo–Messi, Modrić tha se ndihet më pranë Cristiano-s për faktin se kanë luajtur bashkë te Real Madridi: “Nuk është vetëm futbollist i madh, por edhe një njeri i jashtëzakonshëm… ka zemër të madhe dhe gjithmonë është gati të ndihmojë të tjerët.”










