Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në Iran, duke u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që ndodhen aktualisht në këtë vend të tregojnë kujdes të shtuar dhe të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore shqiptare.
Në njoftimin zyrtar, Ministria thekson se për çdo informacion, emergjencë apo nevojë për ndihmë, qytetarët shqiptarë mund të kontaktojnë ambasadat shqiptare në rajon, përkatësisht në Katar, Kuvajt, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqi.
Reagimi i Ministrisë vjen në një kohë kur Irani është përfshirë nga protesta të dhunshme në mbarë vendin. Pavarësisht raportimeve për mbi 500 persona të vrarë dhe qindra të plagosur gjatë tri ditëve të fundit, protestuesit kanë dalë sërish në rrugë duke sfiduar një fushatë të ashpër shtypjeje nga autoritetet iraniane.
Qeveria iraniane ka intensifikuar ndërhyrjen përmes forcave të sigurisë, ndërsa ka vendosur një bllokadë pothuajse totale të internetit, duke kufizuar ndjeshëm komunikimin me botën e jashtme. Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Movahedi Azad, ka deklaruar se çdo person që merr pjesë në tubime do të konsiderohet “armik i Zotit”, një akuzë që sipas ligjit iranian dënohet me vdekje.
Demonstratat, të cilat nisën më shumë se dy javë më parë për shkak të rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë, janë përhapur në mbi 100 qytete në të gjitha provincat e vendit. Protestuesit tashmë po kërkojnë hapur fundin e sundimit klerikal dhe largimin e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Udhëheqësi suprem i Iranit i ka cilësuar protestuesit si “vandalë”, duke i akuzuar se po veprojnë për t’i shërbyer interesave të presidentit amerikan Donald Trump. Ndërkohë, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar në rrjetet sociale se “Irani po shikon drejt lirisë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë, pa dhënë detaje konkrete mbi hapat e mëtejshëm.










