Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian në vitin 2027, duke vënë në dyshim realizmin e një afati kaq të shkurtër.
“Sapo dëgjova që presidenti Zelensky tha se Ukraina duhet të bëhet anëtare që vitin e ardhshëm. Më vjen keq, por ia kam thënë shumë herë: mos vendos ultimatum. Kjo nuk është në interesin tënd,” deklaroi Bettel.
Ai theksoi se procesi i anëtarësimit kërkon respektimin e kritereve të Kopenhagës, të cilat vlejnë për të gjitha vendet që synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
“Ekzistojnë rregulla dhe kritere të qarta. Nuk mund të ketë standarde për njërin dhe jo për tjetrin. Derisa kriteret e Kopenhagës të mos përmbushen, nuk mund të themi: ‘Hyni në familjen evropiane dhe ne do t’i mbyllim sytë’,” u shpreh Bettel.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë përjashtime politike në procesin e zgjerimit dhe se respektimi i reformave mbetet kushti kryesor për çdo vend kandidat.
Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur rezerva për një anëtarësim të shpejtë të Ukrainës. Sipas tij, nuk ka asnjë mundësi që Ukraina të bëhet pjesë e BE-së më 1 janar 2027, pasi çdo vend duhet të kalojë më parë procesin e gjatë të përmbushjes së kritereve të Kopenhagës.
Në dhjetor të vitit 2025, presidenti Zelenskyy foli për mundësinë e një pranimi të përshpejtuar të Ukrainës në Bashkimin Evropian, por theksoi se disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë proces për arsye politike dhe jo për shkak të mungesës së reformave në vend.
Më 25 janar, Zelenskyy deklaroi se Ukraina do të jetë plotësisht e gatshme për anëtarësim në vitin 2027 dhe kërkoi që data e pranimit të përfshihet në marrëveshjen për përfundimin e luftës, si një garanci sigurie për vendin e tij.











