Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026 u mbyllën me një finale spektakolare të hokejit mbi akull, ku Shtetet e Bashkuara fituan titullin, por pa arritur të shpallen kombi më i suksesshëm i këtij edicioni.
Në krye të renditjes së medaljeve u pozicionua Norvegjia, me një dominim të qartë: 18 medalje të arta, 12 të argjendta dhe 11 të bronzta.
Ky sukses e vendos Norvegjinë për herë të katërt radhazi në vendin e parë, duke shënuar edhe rekord për numrin më të lartë të medaljeve të arta në një edicion olimpik dimëror.
Shtetet e Bashkuara u renditën të dytat me 12 medalje të arta, po aq të argjendta dhe 9 të bronzta. Holanda dhe Italia siguruan nga 10 medalje të arta secila, ndërsa Gjermania, Franca dhe Suedia përfunduan me nga 8 medalje të arta. Zvicra mbylli garën me gjashtë medalje të arta.
Dominimi zviceran u pa veçanërisht në disiplinat e skijimit alpin, ku sportistët e saj fituan katër medalje të arta, tri të argjendta dhe dy të bronzta. Italia dhe SHBA morën nga dy medalje të arta në këtë disiplinë, ndërsa Austria dhe Brazili siguruan nga një medalje të artë.
Në këtë edicion morën pjesë 2,871 sportistë nga 92 vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat nuk arritën rezultatet e synuara. Shqipëria u përfaqësua nga Denni Xhepa, Lara Colturi, Semire Dauti dhe Lisa Brunga. Colturi u rendit e 16-ta në Slalomin Gjigant dhe e 10-ta në Slalom, ndërsa Xhepa përfundoi i 34-ti në Super-G. Kosova u përfaqësua nga Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, por asnjëri nuk arriti të kalojë në raundet pasuese.
Ceremonia e mbylljes u zhvillua në , duke shënuar fundin e një edicioni të suksesshëm olimpik. Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore do të mbahen në vitin 2030 në Alpet Franceze.











