Milani mori një fitore shumë të rëndësishme në San Siro, duke mposhtur Torinon 3-2 pas një ndeshjeje me dy fytyra. Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë të dobët, por reaguan fuqishëm pas pushimit dhe arritën të përmbysin gjithçka falë golave të Pavlovic, Rabiot dhe Fofana.
Skuadra e Allegrit u duk sërish e pasigurt në fraksionin e parë, me pak ide dhe me shumë gabime në ndërtimin e lojës. Megjithatë, Milani arriti të kalonte në avantazh në minutën e 36-të me një goditje të fortë të Pavlovic, por Torino reagoi menjëherë dhe barazoi në fund të pjesës së parë me Simeone, pas një aksioni të nisur nga Vlasic.
Në pjesën e dytë, Milani doli krejt ndryshe në fushë. Kuqezinjtë rritën ritmin, shtynë më shumë përpara dhe gjetën shpërblimin shumë shpejt. Fillimisht ishte Rabiot që realizoi për 2-1 pas një krosimi nga e djathta, ndërsa vetëm një minutë më pas Fofana shënoi edhe golin e tretë, duke i dhënë një goditje të fortë Torinos.
Skuadra mike nuk u dorëzua dhe u rikthye në lojë në minutat e fundit. Vlasic shënoi nga pika e bardhë për 3-2, pasi arbitri akordoi penallti për një ndërhyrje të Pavlovic ndaj Simeones, por Torino nuk arriti të gjente golin e barazimit.
Kjo fitore i jep frymëmarrje Milanit në garën e fortë në krye. Skuadra e Allegrit parakaloi Conten në renditje, u rikthye në vendin e dytë dhe tani ndodhet pesë pikë pas Interit, duke mbajtur gjallë presionin në krye, edhe pse objektivi kryesor mbetet sigurimi i një vendi në Champions League.
Për Torinon, pavarësisht humbjes, paraqitja sidomos në pjesën e parë ishte inkurajuese. Skuadra e D’Aversas tregoi organizim, qartësi në lojë dhe la sinjale pozitive, edhe pse në fund u largua pa pikë nga një stadium ku ishin të pranishëm rreth 73 mijë tifozë.
Një tjetër lajm i mirë për Milanin ishte rikthimi në fushë i Gimenez, i cili u aktivizua sërish pas rreth katër muajsh e gjysmë mungesë.









