Edhe pse e nisi me shumë bujë dhe fitoi direkt dashurinë e tifozëve kuqezi, aventura e Joao Felix te Milan do të marrë fund në përfundim të këtij sezoni. Portugezi do të rikthehet përkohësisht te Chelsea dhe më pas do i duhet të gjejë një ekip të ri pasi nuk është në planet e “Bluve” për sezonin e ardhshëm.
Sipas mediave angleze, Aston Villa është skuadra e vetme që ka treguar një interes të fortë dhe serioz për të transferuar Joao felix në merkaton e ardhshme të verës. Klubi anglez i drejtuar nga një trajner ekspert si Unai Emery, po monitoron nga afër situatën e sulmuesit portugez, duke kërkuar të forcojë sulmin e tyre me një lojtar të gjithanshëm që mund të sjellë dinamizëm në sezonin e ardhshëm.
Aston Villa tentoi edhe gjatë merkatos së janarit për të nënshkruar me Joao Felix, por në fund ndodhi huazim te Milan. Me rihapjen e merkatos në verë, lind sërish mundësia për të nënshkruar me portugezin dhe Unai Emery mesa duket është ende i gatshëm të vërë një bast për të.
Pengesa kryesore për transferimin e tij do të jetë çmimi që Chelsea synon të rikuperojë pas një investimi të konsiderueshëm në blerjen e tij.
Megjithatë, me një të ardhme të pasigurt te Chelsea dhe pa oferta të tjera në horizont, Aston Villa mund të jetë alternativa e vetme për të “ringjallur” karrierën e Joao Felix.