Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Në përkujtim të kësaj dite, pranë Kryeministrisë janë zhvilluar homazhe për viktimat e 21 Janarit, ku morën pjesë drejtues politikë, familjarë të të vrarëve dhe qytetarë. Gjatë ceremonisë, Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim, duke rikujtuar klimën e asaj dite dhe duke e cilësuar reagimin e shtetit të atëhershëm si një akt të rëndë dhune ndaj protestës qytetare.
Rama: 15 vjet më parë këtu në këtë godinë ishte barrikaduar një hordhi e armatosur, përzierje e trupës së rregullt së gardës së republikës dhe çetës së paramilitarëve famëkëqij të kryeministrit. Godina ishte përforcuar me tela me gjemba, shtrirë gjithandej pas atij gardhit të shëmtuar dhe hekurave që rrethonin kryeministrinë pas sulmit të armatosur të 14 shtatorit 1998, pjesë e të cilit ishin edhe disa nga të barrikaduarit brenda kryeministrisë më 21 janar. Njeriu i futur në zyrën e kryeministrit për të udhëhequr Shqipërinë kishte lëshuar kushtrimin e një përgjigjeje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës.
Protesta u kthye në një lëmsh kaotik, doli jashtë kontrollit, por përtej reagimit të turmës ndaj policisë dhe vatrave të zjarrit të ndezura në atë revoltë e sipër, për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së kryeminsitrisë. Përveç një veture e cila u filmua duke hyrë në portën anësore të hekurit, hapur çuditshëm nga brenda si një kurth, askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për të shkelur perimetrin e sigurisë. Asnjë material filmik i ngjarjes nuk nxori askund në pah praninë e asnjë arme te vetme. Ndërkohë mijëra fishekë u shkrehën nga forcat e sigurisë për të ndaluar një turmë e cila u përfshi në konflikt fizik me to vetëm si pasojë e përpjekjes së ktyre të fundit për ta shpërndarë protestën ende pa u mbledhur. Gjithçka u zhvilluar jashtë rrezet të çdo rreziku të imagjinueshëm për këtë godinë dhe lere pastaj për VIP-in e vetëngujuar me hordhinë e vet dhe me gjithë karafilin e tij ambulant lart në tarracë.
Gjatë protestës u vranë Akeks Nika, Ziver Veizit, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.
Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.
Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.










