Sezonin e kaluar, Hansi Flick kishte një qëndrim krejt tjetër për arbitrimin dhe kritikët e tij. Në një deklaratë që u interpretua edhe si thumb ndaj Real Madridit, ai theksonte se te Barcelona “nuk kërkohen justifikime”, duke shtuar se arbitrat janë njerëz, mund të gabojnë dhe duhet respektuar puna e tyre: “Duhet t’i mbrojmë arbitrat.”
Por mbrëmjen e fundit, trajneri ndryshoi totalisht tonin dhe shpërtheu publikisht: “Arbitrimi në Spanjë është një katastrofë… është kaq i keq, kaq i keq. Është turp.”
Kthesa e fortë e Flick vjen në një moment kur debatet rreth vendimeve të VAR-it dhe gjykimit në La Liga e kupë janë rritur ndjeshëm, dhe deklarata e tij pritet të hapë një valë të re reagimesh në Spanjë.
Në të njëjtën linjë pakënaqësie, Barcelona po përgatit edhe një protestë zyrtare për golin e anuluar ndaj Atletico Madridit pas rishikimit me VAR (minuta 59, Pau Cubarsí). Sipas Què T’hi Jugues, klubi pritet të dorëzojë një ankesë formale në RFEF, duke kërkuar sqarim dhe rishikim të vendimit.









