Gonoreja, një infeksion seksual i zakonshëm që shpesh nuk paraqet simptoma, është bërë më i vështirë për t’u trajtuar për shkak të zhvillimit të rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve aktualë. Nëse nuk trajtohet, ajo mund të shkaktojë probleme serioze si sëmundjet inflamatore të pelvikës ose infertilitetin. Zoliflodacina, antibiotiku i parë i ri i zhvilluar ekskluzivisht për trajtimin e këtij infeksioni në dekadat e fundit, ka për qëllim që të luftojë superbugët e rezistentë ndaj ilaçeve dhe pritet të marrë miratimin për tregtim në Shtetet e Bashkuara.
Së fundmi, studiuesit kanë kryer një provë klinike që përfshinte më shumë se 900 njerëz nga SHBA, Afrika e Jugut, Tajlanda, Belgjika dhe Holanda – vlerësimi më i madh deri tani për pjesëmarrësit me infeksion N. gonorrhoeae. Rezultatet e provës, të publikuara në revistën mjekësore The Lancet, treguan se trajtimi i ri – një pilulë e vetme – shëroi mbi 90 për qind të infeksioneve në zonat gjenerike. Studiuesit thanë se ilaçi i ri u tolerua mirë nga pjesëmarrësit, me efekte anësore të ngjashme me ato të trajtimeve aktuale, pa probleme të rënda të sigurisë.
Edward Hook, profesor i mjekësisë në Universitetin e Alabama-s dhe udhëheqës i studimit, theksoi se gonoreja vazhdon të jetë një shqetësim të madh për shëndetin publik në të gjithë botën dhe sfidat e rritjes së rezistencës antimikrobike e rrisin urgjencën për opsione të reja trajtimi. Në vitin 2023, u regjistruan rreth 100,000 raste të konfirmuara me gonorre në Bashkimin Evropian, që është një rritje prej 31 pëqind nga viti i kaluar.
Trajtimi aktual kryesor është ceftriaxoni, pasi infeksioni ka zhvilluar rezistencë ndaj çdo antibiotiku tjetër të njohur që mund ta luftojë. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), rezistenca ndaj ceftriaxone mbetet e pazakontë në BE, megjithatë rezistenca ndaj azithromycinit është rritur në vitet e fundit.
Trajtimi i ri u zhvillua përmes një partneriteti publik-privat të udhëhequr nga Innoviva Speciality Therapeutics dhe partneriteti jofitimprurës Global Antibiotic Research & Development Partnership (GARDP). Administrata e Ushqimit dhe Medikamentit në SHBA pritet të japë miratimin për Zoliflodacina në ditët në vijim, ndërsa në BE, ajo mbetet ende një ilaç në provë, duke u përdorur vetëm në prova klinike.










