Autoritetet italiane kanë arrestuar në aeroportin Orio al Serio të Bergamos një grua 46-vjeçare nga Nigeria, e cila kishte gëlltitur 120 kapsula heroine, me peshë totale 1.393 gramë.
Sipas hetimeve të autoriteteve doganore, gruaja jetonte në Itali që prej vitit 2013 dhe punonte si shitëse ambulante. Ajo po kthehej nga një udhëtim i shkurtër në Bruksel dhe kishte si destinacion qytetin Alghero.
Mungesa e bagazheve dhe sjellja e saj nervoze ngritën dyshime te policia, e cila vendosi të kryente kontrolle më të detajuara. Vetë gruaja pranoi se po transportonte drogë.
Ekzaminimet me rreze X në spitalin e Bergamos konfirmuan praninë e kapsulave, të mbështjella me shirit ngjitës. Pas nxjerrjes së tyre, substancat u sekuestruan dhe gruaja u arrestua, duke u dërguar në burgun e Bergamos.








