Aksi kryesor i juglindjes së vendit është tashmë i bllokuar plotësisht, si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave dhe çarjes së thellë në trupin e rrugës.
Qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment është i ndaluar për çështje sigurie, ndërkohë që Autoriteti Rrugor ka njoftuar se po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve duhet të shmangin këtë aks dhe të përdorin rrugën alternative Maliq-Lozhan- Moglicë-Gramsh- Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës.
Kjo situatë ka lënë qindra drejtues mjetesh dhe pasagjerë të bllokuar në të dyja anët e aksit.
Mes tyre ka familjarë me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe drejtues mjetesh transporti që prej orësh presin një zgjidhje, ndërsa situata paraqitet e pasigurt për shkak të çarjeve të thella në trupin e rrugës.
“Nga Librazhdi. Banesën e kemi në Prrenjas. Do ikim në këmbë, do presim ndonjë makinë të vijë të na marrë. Këtë rrugë kemi. Mos më luaj se më ka shkuar tensioni 17”, thotë një i moshuar.
“S’di çfarë të them, jam e sëmurë, me një veshkë. Po ec në këmbë që nga Librazhdi, kam një orë e gjysmë që ec”, thotë një e moshuar tjetër.
Kreu i ARRSH Ami Kozeli shpjegoi arsyet se përse ndalimi i qarkullimit për të gjitha mjetet ishte i domosdoshëm dhe i detyruar.
“Ka një zhvillim të vazhdueshëm në përkeqësim, ura është spostuar në 29 cm. Aty ka prezencë po thërrmohet betoni dhe kjo tregom që është aktive, ndaj jemi të detyruar për bllokim total”, tha ai.
Kozeli shtoi se ura e ndërtuar në vitin 1997 nuk paraqet siguri. Sipas tij, kjo situatë vjen për shkaqe natyrore pasi zona është ujëmbajtëse.
Të premten, në të njëjtin segment ishte vendosur kufizim i lëvizjes me një korsi, me kalim të alternuar të mjeteve dhe vendosje semafori për disiplinimin e trafikut, pasi çarjet e vjetra dhe ato të reja ishin thelluar, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përdoruesit e rrugës, por me kalimin e orëve situate vetëm u përkeqësua.











