Një rrjet kriminal me bazë shqiptare, i përfshirë në kultivimin industrial të kanabisit në Bruksel dhe rrethinat e tij, është goditur nga drejtësia belge. Dhjetë persona janë dënuar me burgime që variojnë nga 20 muaj deri në 6 vjet, ndërsa gjykata ka urdhëruar konfiskimin e mbi 2.5 milionë eurove, të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Sipas agjencisë Belga, vendimi u dha nga Gjykata Penale e Brukselit, pas një hetimi disa mujor të policisë gjyqësore federale të Leuvenit, i cili çoi në çmontimin e plotë të rrjetit në qershor 2024.
Hetimet nisën në tetor 2023, kur autoritetet belge zbuluan disa plantacione kanabisi të lidhura me qarqe kriminale shqiptare. Në qendër të dosjes u identifikuan dy vëllezër, të njohur si B., dhe kushëriri i tyre R., të cilët konsiderohen organizatorët kryesorë të aktivitetit kriminal.
Sipas dosjes hetimore, që nga vera e vitit 2020, në kulmin e kufizimeve të pandemisë COVID-19, ata kishin nisur kërkimin e objekteve të izoluara për kultivim të fshehtë. Mes tyre një restorant sushi i mbyllur në Laeken, një banesë në Heverlee dhe një ndërtesë në Vilvorde.
Për funksionimin e plantacioneve, rrjeti përdorte bashkëpunëtorë shqiptarë, të cilët angazhoheshin si kultivues dhe përgjegjës logjistike. Të dyshuarit u mbajtën nën vëzhgim për disa javë dhe policia arriti të instalojë pajisje përgjimi në një automjet të përdorur nga anëtarë të ndryshëm të grupit.
Plantacioni i parë u zbulua në mars 2024 në Heverlee. Në qershor, policia kreu shtatë bastisje të njëkohshme, duke çmontuar plantacionet në Vilvorde dhe Laeken, si dhe një tjetër objekt në fazë përgatitore në Muizen.
Dy vëllezërit B. dhe kushëriri i tyre R. u dënuan me 5 dhe 6 vjet burg. Kultivuesit e punësuar në lokacionet e ndryshme u dënuan me 36 muaj deri në 4 vjet heqje lirie, ndërsa një tjetër i pandehur, i cili kishte marrë me qira një ndërtesë për llogari të rrjetit kriminal, u dënua me 20 muaj burg.










