Manchester United po përjeton një moment shumë pozitiv në Premier League. Pas ardhjes së Michael Carrick në stol, “Djajtë e Kuq” kanë regjistruar katër fitore radhazi, përfshirë edhe suksesin 2-0 ndaj Tottenhamit.
Kjo seri rezultatesh ka rikthyer entuziazmin te tifozët, pas një periudhe të gjatë me vështirësi dhe mungesë stabiliteti në rezultate.
Në këtë atmosferë pozitive ka dalë në pah edhe një histori e veçantë. Një tifoz i flaktë i United, Frank Ilet, kishte premtuar se nuk do t’i priste flokët derisa ekipi i tij të arrinte pesë fitore radhazi në të gjitha kompeticionet.
Premtimi i tij, i publikuar në Instagram më 5 tetor 2024, është kthyer në viral në rrjetet sociale. Pas rreth 1.5 vitesh pritjeje, Frank ende nuk e ka realizuar dëshirën e tij.
Tani skuadra e Carrick është shumë pranë këtij objektivi. Ndeshja e radhës ndaj West Ham, më 10 shkurt, mund të jetë vendimtare për tifozin, pasi një fitore do të sillte më në fund prerjen e shumëpritur të flokëve.
Kjo histori simbolizon pasionin dhe përkushtimin e tifozëve të Manchester United, të cilët shpresojnë se kjo periudhë suksesi do të shënojë një rikthim të qëndrueshëm të ekipit në nivelet më të larta të futbollit anglez.











