Manchester City triumfoi 2-0 ndaj Arsenalit në finalen e Carabao Cup, të luajtur në Wembley, dhe siguroi trofeun e parë të sezonit. Heroi i ndeshjes ishte Nico O’Reilly, i cili realizoi të dy golat në pjesën e dytë dhe i dha skuadrës së Pep Guardiolës një fitore të madhe në një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit.
Arsenali e nisi ndeshjen më mirë dhe krijoi rastet më të rrezikshme në pjesën e parë. Londinezët ushtruan presion të madh, ndërsa James Trafford mbajti Cityn në lojë me disa pritje vendimtare në minutat e para. Skuadra e Mikel Artetës ishte më e organizuar dhe më këmbëngulëse para pushimit, por nuk arriti ta shfrytëzonte epërsinë e saj në lojë me gol.
Gjithçka ndryshoi pas pushimit. Manchester City u kthye në fushë me më shumë ritëm dhe agresivitet, ndërsa momenti vendimtar i finales erdhi në minutën e 60-të, kur Kepa Arrizabalaga gaboi rëndë dhe i dhuroi praktikisht golin e avantazhit O’Reillyt. Vetëm katër minuta më vonë, i njëjti lojtar goditi sërish dhe vulosi fitoren e “Qytetarëve” me golin e dytë personal.
Pas disavantazhit 2-0, Arsenali provoi të reagonte me zëvendësime dhe më shumë forcë në sulm, por nuk arriti të rikthehej në lojë. Rasti më i mirë për të rihapur finalen erdhi në fund, kur Gabriel Jesus goditi traversën, por City e menaxhoi mirë avantazhin deri në vërshëllimën e fundit. Në fund, skuadra e Guardiolës festoi një tjetër trofe në Wembley, ndërsa O’Reilly u kthye në njeriun e ndeshjes.











