Një aksident automobilistik është regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në Fier, më konkretisht në unazën perëndimore të qytetit.
Nga informacionet paraprake mësohet se një automjet tip “Toyota” është përplasur fillimisht me një tjetër automjet të parkuar dhe më pas është përmbysur në mes të rrugës. Sipas të dhënave paraprake, fatmirësisht nuk raportohet për të plagosur, por vetëm për dëme materiale.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë rrugore, të cilat po punojnë për normalizimin e trafikut dhe zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.