Kapja e udhëheqësit të Venezuelës Nikolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara, e vlerësuar nga presidenti Donald Trump si mahnitëse dhe e fuqishme, lë shumë paqartësi rreth asaj se kush po e drejton vendin e pasur me naftë.
Trump tha të shtunën se zëvendëspresidentja venezuelase, Delcy Rodriguez, pjesë e një klike të fuqishme në krye të Qeverisë së vendit, ishte betuar pas arrestimit të Maduros dhe se ajo kishte folur me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke nxitur thashetheme se ajo do ta merrte drejtimin e vendit.
Sipas Kushtetutës së Venezuelës, Rodriguez bëhet presidente në detyrë në mungesë të Maduros dhe gjykata më e lartë e vendit urdhëroi që ajo ta merrte detyrën të shtunën në mbrëmje.
Por, pak pasi Trump bëri foli për shtyp, Rodriguez u shfaq në televizionin shtetëror, e shoqëruar nga vëllai i saj, kreu i Asamblesë Kombëtare Jorge Rodriguez, ministri i Brendshëm Diosdado Cabello dhe ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino Lopez, dhe tha se Maduro mbetej presidenti i vetëm i Venezuelës.
Paraqitja e përbashkët e tyre tregoi se grupi që ndante pushtetin me Maduron po qëndron i bashkuar – të paktën tani për tani.
Të shtunën, Trumpi ia mbylli publikisht derën e bashkëpunimit lideres së opozitës dhe fitueses së Çmimit Nobel, Maria Corina Machado – e konsideruar gjerësisht si kundërshtarja më e besueshme e Maduros – duke thënë se ajo nuk gëzon mbështetje brenda vendit.
Pasi Machados iu ndalua të garonte në zgjedhjet e Venezuelës në vitin 2024, vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se kandidati i saj zëvendësues i fitoi zgjedhjet bindshëm, pavarësisht pretendimeve të Qeverisë së Maduros për fitore.
Për më shumë se 10 vjet, pushteti i vërtetë në Venezuelë është mbajtur nga një rreth i vogël zyrtarësh të lartë.
Megjithatë, analistët dhe zyrtarët thonë se sistemi varet nga një rrjet i gjerë besnikësh dhe organesh të drejtësisë, i ushqyer nga korrupsioni dhe mbikëqyrja.
Brenda rrethit të brendshëm, mbizotëron një baraspeshë civile-ushtarake. Çdo anëtar ka interesat dhe rrjetet e veta të patronazhit. Aktualisht, Rodriguez dhe vëllai i saj përfaqësojnë krahun civil. Padrino dhe Cabello përfaqësojnë krahun ushtarak.
Kjo strukturë pushteti e bën rrëzimin e Qeverisë së tanishme të Venezuelës më të ndërlikuar sesa thjesht largimin e Maduros, sipas intervistave me zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë amerikanë, analistë ushtarakë venezuelas dhe amerikanë, si dhe konsulentë sigurie për opozitën venezuelase.
“Mund të hiqni sa të doni pjesë të Qeverisë venezuelase, por do të duheshin aktorë të shumtë në nivele të ndryshme për të sjellë një ndryshim të vërtetë”, tha një ish-zyrtar amerikan i përfshirë në hetime penale në Venezuelë.
Një pikëpyetje e madhe rrethon Cabellon, i cili ushtron ndikim mbi agjencitë e kundërzbulimit ushtarak dhe civil të vendit, të cilat kryejnë spiunazh të brendshëm.
“Fokusi tani është te Diosdado Cabello”, tha strategu ushtarak venezuelas Jose Garcia. “Sepse ai është elementi më ideologjik, më i dhunshëm dhe më i paparashikueshëm i regjimit venezuelas”.
Kombet e Bashkuara kanë konstatuar se si SEBIN, agjencia civile, ashtu edhe DGCIM, shërbimi i inteligjencës ushtarake, kanë kryer krime kundër njerëzimit si pjesë e një plani shtetëror për t’i shtypur kundërshtarët.
Njëmbëdhjetë ish të ndaluar – përfshirë disa që dikur ishin vetë personel sigurie – përshkruan për Reuters goditje elektrike dhe abuzime seksuale në qendrat e fshehta të DGCIM-it, në intervista të zhvilluara para kapjes së Maduros.
“Ata duan që ti të ndihesh si një buburrec në një kafaz elefantësh, që ata janë më të mëdhenj”, tha një ish-agjent i DGCIM-it, i cili u arrestua dhe u akuzua për tradhti në vitin 2020 pasi kishte pasur kontakte me disidentë ushtarakë.
Në javët e fundit, derisa Shtetet e Bashkuara po kryenin grumbullimin më të madh ushtarak në Amerikën Latine në dekada, Cabello është shfaqur drejtpërdrejt në televizion duke urdhëruar DGCIM-in të “shkojë dhe të kapë terroristët” dhe duke paralajmëruar se “kushdo që devijon, ne do ta marrim vesh”.











