Noni Madueke u bashkua me Arsenalin gjatë verës, në një lëvizje që fillimisht ndau opinionin mes tifozëve. Një pjesë e tyre u shprehën skeptikë për shkak të afrimeve të vazhdueshme të Mikel Arteta-s nga Chelsea dhe dyshuan nëse sulmuesi anësor ishte në nivelin e duhur për ambiciet e klubit. Megjithatë, trajneri spanjoll e kishte të qartë bindjen e tij dhe këmbënguli për transferimin.
Me kalimin e javëve, Madueke ka nisur ta ndryshojë perceptimin me paraqitjet e tij. Ai është shfaqur më i qëndrueshëm dhe më i sigurt në “Emirates” sesa ishte te Chelsea, duke fituar gradualisht besimin e tifozëve që në fillim nuk ishin të bindur.
Po rrit ndikimin në “Emirates”
Madueke është kthyer në një nga opsionet më të besuara të Arteta-s në repartin ofensiv. Stili i tij i drejtpërdrejtë, intensiteti në punë dhe gatishmëria për të marrë përgjegjësi e kanë ndihmuar të përshtatet shpejt, ndërsa sot shihet si një nga alternativat më të forta në sulm për trajnerin.
Edhe pse ekziston ideja se ai mund të kishte pasur sukses edhe po të qëndronte te Chelsea, vendimi për t’u transferuar u ndikua ndjeshëm nga bisedat me Arteta-n dhe nga vizioni që iu paraqit për rolin e tij te Arsenali.
Çfarë i tha Arteta
Duke folur për “Arsenal Media”, Madueke tregoi se telefonata e parë me Arteta-n ishte vendimtare dhe se trajneri ia shpjegoi qartë projektin e ekipit dhe planin personal për të.
“Isha unë, babai im dhe ai. Ai më theksoi planet që kishte për ekipin dhe planet që kishte për mua. Shumë nga ato që tha më bënë shumë sens… dhe sigurisht e dija sa i mirë ishte ekipi dhe që ishte në një pozicion për të luftuar për trofe të mëdhenj. Kjo e bëri zgjedhjen për mua,” u shpreh Madueke.
Me formën në rritje dhe ndikimin në fushë, tifozët e Arsenalit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë pse Arteta ishte kaq i vendosur ta sillte në Londrën e Veriut.










