Luka Modric ishte një nga figurat kryesore në derbin që Milani e fitoi ndaj Interit, duke treguar edhe një herë se mbetet një nga shtyllat kryesore të lojës së kuqezinjve.
“Ishte fantastike të shihja Sergio Ramosin në stadium. Kur kapiteni vjen këtu, duhet të fitojmë…”, u shpreh Modric pas derbit Milan-Inter. Mesfushori kroat, duke kujtuar vitet e kaluara krah Ramosit te Real Madridi, tregoi edhe një herë respektin e madh për ish-shokun e tij të skuadrës.
Megjithatë, më shumë se kushdo tjetër, ishin pikërisht Sergio Ramos dhe Alexandre Pato, një tjetër mysafir i nderuar në stadium, që mbetën të mahnitur nga paraqitja e kroatit. Pas ndeshjes, La Gazzetta dello Sport e vlerësoi Modricin me notën 7.5, duke përdorur epitetin më të përshtatshëm për performancën e tij: monstruoz.
Një nga sekretet e Modricit mbetet dashuria e tij e pafund për futbollin, por edhe mënyra se si ai e trajton topin duket sikur e bën lojën të rrjedhë natyrshëm. Që në minutat e para të takimit, kroati tregoi klasin e tij, duke nuhatur menjëherë një gabim të portierit Sommer, që për pak i dhuroi një rast të artë Pulisicit.
Goli vendimtar u shënua nga Pervis Estupiñán në minutën e 35-të, por gjatë gjithë ndeshjes Milani u shfaq i saktë, i organizuar dhe gjithmonë një hap përpara kundërshtarit. Pikërisht kjo është një nga cilësitë që e bën Modricin të veçantë: ai duket sikur e lexon lojën përpara të tjerëve, menaxhon ritmin e skuadrës dhe arrin gjithmonë aty ku duhet.
Edhe në këtë fazë të karrierës, kroati vazhdon të japë maksimumin deri në vërshëllimën e fundit. Tashmë tifozët e Milanit shpresojnë që magjia e tij të vazhdojë edhe përtej këtij sezoni, ndonëse vetë Modric mbetet i fokusuar vetëm te ajo që ndodh në fushë.










