Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot Liburn Aliun si drejtor të ri të Portit të Durrësit. Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi eksperiencën e gjatë të Aliut në fushën e arkitekturës, politikës dhe qeverisjes, si dhe vizionin e tij për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Balluku tha se kreu i qeverisë Edi Rama e miratoi menjëherë propozimin e saj për të emëruar në krye të Portit të Durrësit Aliun dhe tha se shefi i qeverisë historikisht ka punuar për Shqipërinë dhe Kosovën me një njëjtin pasion, me qëllimin për t’i parë në lartësinë e duhur.
Belinda Balluku: Liburn Aliun e kam njohur vite më parë. Arkitekt në profesion, me një karrierë të gjatë në politikë, dy mandate deputeti, katër vite ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Instrastrukturës dhe një mik i mirë që Kosovën dhe Shqipërinë e ka para si një treg të përbashkët të zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor. Në fillim të shtatorit e pyeta nëse do të kishte interes që të kontribuonte për Shqipërinë dhe si rrjedhojë edhe për Kosovën. Ma ngrohu direkt zemrën sepse iu duk një propozim interesant. Këtë propozim e çova te kryeministri. Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën me të njëjtën dëshirë, për t’i parë shqiptarët në lartësinë që ata e meritojnë. Nuk është hera e parë që qytetarë të Kosovës janë përfshirë në ekzekutivin shqiptar. Liburn Aliu është më i spikaturi dhe sot merr stafetën dhe rrugëti që do të na çojë drejt realizimit të një plani strategjik për transportin e tij do të jetë në duart e tij.
Nga ana tjetër, Liburn Aliu u shpreh i nderuar për besimin e dhënë, duke e cilësuar Portin e Durrësit si “portin e të gjithë shqiptarëve” dhe duke theksuar nevojën për modernizimin dhe zgjerimin e tij si një projekt i përbashkët zhvillimi për të dy vendet.
Liburn Aliu: Jam i nderuar që jam sot këtu dhe jam i nderuar nga qeveria e Shqipërisë për një detyrë që më është dhënë dhe më është besuar dhe është mjaft sfiduese. Porti i Durrësit është port i gjithë shqiptarëve, i gjithë rajonit. Kosova pjesën dërrmuese të mallrave e merr përmes Portit të Durrësit. Është e domosdoshme që ky port të modernizohet dhe të zgjerojë kapacitetet. Kjo do të ndihmonte që të dyja vendet të bëhen më të zhvilluara ekonomikisht dhe më të sigurta. Këtë detyrë do ta bëjmë bashkë dhe uroj që të kemi sukses dhe pas tre vitesh urojmë që portin e mallrave ta shohim të realizuar.










