Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Gjerdani”, në kuadër të kontrolleve intensive kundër armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat i një informacioni të siguruar në rrugë operative, shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale kanë ndaluar mbrëmjen e djeshme, në fshatin Shënkoll, një automjet tip “Fiat”, pa targa, që drejtohej nga shtetasi Kristian Buzatu, 30 vjeç.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti 30-vjeçarit një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Po ashtu, u sekuestruan 2 aparate celularë, automjeti dhe një shumë parash.
Në lidhje me këtë rast, Kristian Buzatu u arrestua, ndërsa u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzim i krimit” dy pasagjerët në automjet, shtetasit Klisman Ndou dhe Admir Alija.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.









