Lara Colturi ka vazhduar të impresionojë në këtë fillim sezon në Kupën e Botës në Skitë Alpine. Pas një vendi të dytë në Garën e Slalomit në Levi, skiatorja italiane që përfaqëson Shqipërinë, arriti një tjetër rezultat të shkëlqyer në Gurgl të Austrisë, ku ka kujtime të veçanta nga viti i kaluar, kur regjistroi podiumin e saj të parë.
Në pistën austriake, Colturi dha një performancë të jashtëzakonshme, duke shkruar një tjetër faqe në historinë e skive shqiptare. Zbritja e saj e parë në këtë garë ishte afër perfektes, duke kaluar pistën me kohën 54 sekonda e 53 të qintat, vetëm 31 të qintat më shumë se legjenda Mikaela Shiffrin, e cila qëndroi përpara saj.
Në zbritjen e dytë, Colturi pati një kohë pak më të ngadalshme, 54 sekonda e 91 të qintat, megjithatë, kjo nuk e ndali nga sigurimi i vendit të dytë me një kohë totale prej 1 minutë 49 sekonda e 34 të qintat. Fituesja ishte Shiffrin, që regjistroi fitoren e saj të 103 në karrierë, ndërsa vendi i tretë i takoi Camilla Rast. Interesante është që podiumi ishte identik me atë të vitit të kaluar, me të njëjtat skiatore duke mbushur tre vendet kryesore.
Kjo paraqitje e shkëlqyer i dha Colturi një pozicion të lakmueshëm në renditjen e përgjithshme, ku tani ndihet e sigurtë në vendin e dytë me 196 pikë. Kryesuesja e renditjes është përsëri Mikaela Shiffrin me 250 pikë, ndërsa në vendin e tretë është Paula Moltzan me 175 pikë.
Me këtë sukses, Lara Colturi po tregon se është një emër vital në botën e skive dhe një shpresë e madhe për skitë shqiptare. Performancat e saj premtuese e bëjnë atë një figurë të rëndësishme për të ardhmen e këtij sporti në vend.









