Pas një beteje të gjatë me jetën, ka ndërruar jetë e vogla Belen Rreshka, vetëm 6 vjeçe. Katër vite më parë, më 10 shtator 2021, ajo pësoi një aksident tragjik në Verdello të Bergamos. Teksa sapo kishte dalë nga shtëpia e tezes, vogëlushja u përplas nga një makinë tip Fiat 500, që drejtohej nga një grua. Goditja ndodhi para syve të nënës dhe vëllait të porsalindur, ndërsa e mitura u përplas me kokë në një shtyllë rrethimi.
Menjëherë u dërgua me urgjencë në spitalin Papa Giovanni në Bergamo, ku iu nënshtrua dy operacioneve delikate në kokë. Megjithatë, gjendja e saj mbeti gjithmonë kritike dhe, pavarësisht përkujdesjes mjekësore, ajo nuk arriti të shërohej. Pas katër vitesh vuajtjesh, tragjedia u mbyll më 7 shtator, kur Belen ndërroi jetë.
Familja – prindërit, vëllezërit dhe motra – dhanë lajmin e hidhur nëpërmjet një nekrologjie prekëse, duke falënderuar të gjithë ata që u janë gjendur pranë në dhimbjen e tyre.
Trupi i pajetë i së miturës, nën kujdesin e agjencisë funerale Baronchelli, do të mbërrijë të premten në banesën e familjes në Arcene. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet të shtunën në mëngjes me një shërbesë laike, për të vijuar më pas në varrezat e fshatit.
Në orët e fundit, familja ka marrë qindra mesazhe ngushëllimi nga të afërm, miq dhe bashkëqytetarë të prekur nga historia e saj.