Lamine Yamal është shfaqur optimist para ndeshjes së kthimit ndaj Atletico në Champions League, duke theksuar se Barcelona beson te përmbysja dhe do të japë gjithçka në fushë për të vazhduar rrugëtimin në Evropë.
Talenti i ri i katalanasve u ndal para mediave në prag të çerekfinales së kthimit, ku bëri të qartë se skuadra nuk e sheh këtë ndeshje si një mision të pamundur, pavarësisht disavantazhit 2-0 nga takimi i parë.
“Jemi një skuadër e re, të gjithë tifozë të mëdhenj të Barcelonës, dhe mendoj se kemi bërë një sezon shumë të mirë. Nesër do të japim gjithçka”, deklaroi Yamal.
Sulmuesi spanjoll theksoi se Barcelona duhet të ruajë identitetin e saj dhe të hyjë në fushë me intensitet maksimal, pa e konsideruar përmbysjen si një mrekulli.
“Duhet të jemi intensivë, të mos humbasim lojën tonë dhe të mos mendojmë se përmbysja është një mrekulli. Nisemi nga disavantazhi 2-0, por duhet të luajmë siç dimë ne”, u shpreh ai.
Yamal foli edhe për përgjegjësinë që mban në një moshë kaq të re, duke treguar se nuk e sheh si presion, por si një forcë shtesë.
“Që i vogël kam marrë më shumë përgjegjësi sesa duhet. Jam mësuar me këtë. Nuk e shoh si problem, por si forcë”, tha ai.
Një tjetër moment interesant nga konferenca ishte edhe komenti i tij me tone të lehta për trajnerin e Atletico, Diego Simeone.
“Shpresoj që Cholo të më bëjë një nder nesër dhe të më lërë një kundër një me një mbrojtës”, tha Yamal me humor.
Ai shtoi se nuk mendon që gjithçka varet prej tij, por nënvizoi besimin e plotë që ka te skuadra.
“Nuk mendoj se përmbysja varet vetëm nga unë; dhe edhe po të varej, nuk do ta kisha problem. Por unë kam besim te ekipi im”, deklaroi ai.
Në fund, Yamal u përpoq t’u japë shpresë edhe tifozëve të Barcelonës, duke theksuar se skuadra do të luftojë deri në sekondën e fundit.
“Nëse eliminohemi, do të ndodhë vetëm në fund fare. Do të japim gjithçka për këtë fanellë. Asgjë nuk ka përfunduar. Përmbysja është shumë e mundur”, përfundoi ai.
Barcelona do të kërkojë një mbrëmje të madhe evropiane ndaj Atletico, ndërsa Yamal pritet të jetë një nga armët kryesore të skuadrës katalanase në përpjekjen për të përmbysur rezultatin.










