Jakutsku, kryeqyteti i Republikës Saha në Siberi, Rusi, ndodhet buzë lumit Lena. Nuk është një fshat i izoluar, por një qytet i vërtetë me afro 300.000 banorë.
Pikërisht ky normalitet urban, i zhytur në një dimër të jashtëzakonshëm, e bën unik: është qyteti më i ftohtë në botë, megjithatë jeta vazhdon, edhe pse me dallime të dukshme krahasuar me vendet me klimë më të butë.
Në verë temperaturat mund të kalojnë +29°C, por dimri është ekstrem.
Rekordi më i ulët i regjistruar ndonjëherë është -71°C. Gjatë muajve të dimrit, orët e ditës janë të pakta, vetëm katër në janar. National Geographic vëren se nganjëherë është aq ftohtë sa nuk mund të gërmohet toka (madje as për varrime), të operojnë normalisht aeroplanët ose të rriten të korrat.
Çdo dalje jashtë është e planifikuar me kujdes, pa devijime të panevojshme, sepse trupi – më shumë se trafiku apo oraret-dikton kohën dhe zgjedhjet. Rreziku i ngrirjes është i lartë. Shumë njerëz mbështillen me të paktën dhjetë shtresa rrobash, gjë që e bën lëvizjen të vështirë. Makina shpesh mbahen ndezur ose të mbuluara për të shmangur ngrirjen.
Një pamje tipike e qytetit është tregu i peshkut dhe mishit: porti në lumin Lena furnizon qytetin dhe në dimër, peshku e mishi ngrijnë natyrshëm në ajrin e hapur, pa nevojë për frigoriferë. Ndërkohë, perimet e freskëta janë të rralla.
Nën këmbët e tyre qëndron një sfidë tjetër: permafrosti (ngrica e përhershme). Toka është e ngrirë përgjithmonë. Për këtë arsye, shumë ndërtesa ndërtohen mbi shtylla; aty ku nuk janë, rrezikojnë të fundosën me kalimin e kohës, pasi nxehtësia e brendshme mund të shkrijë tokën poshtë tyre.











