Real Madrid mbetet i vendosur në objektivin kryesor të merkatos së verës për të forcuar qendrën e mbrojtjes, një zonë që ka ngritur shqetësime gjatë gjithë sezonit për shkak të dëmtimeve por edhe formës jo të mirë të disa prej titullarëve. Edhe pse Carlo Ancelotti ka arritur të stabilizojë disi situatën, mungesa e zëvendësuesve ka qenë evidente, duke bërë që klubi madrilen të kërkojë me patjetër përforcimin në këtë repart gjatë verës.
Emri i parë në listën e gjatë të drejtuesve të Realit është William Saliba. Mbrojtësi i Arsenalit, i vlerësuar aktualisht në rreth 80 milionë euro, është një pjesë kyçe e skuadrës londineze dhe ka një kontratë deri në vitin 2027. Transferimi i tij në Madrid do të nënkuptonte një shpenzim të konsiderueshëm financiar, por drejtuesit e “Los Blanos” janë të bindur dhe besojnë se francezi do të përshtatej në mënyrë të përkryer me skemën e tyre dhe do të ishte një zgjidhje e menjëhershme e problemit të tyre në mbrojtje.
Interesi për Salibën nuk është i ri, por ka marrë një rëndësi më të madhe javët e fundit, veçanërisht për shkak të miqësisë së ngushtë që ai ka me Kylian Mbappe. Sipas raportimeve nga DefensaCentral, sulmuesi i ka shprehur bordit dëshirën e tij për të ndarë dhomën e zhveshjes me mbrojtësin e Arsenalit. Pra, duke nënkuptuar që dhe vetë Saliba ka shprehur dëshirën për t’u transferuar drejt Madridit.