Trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet këtë të martë për të marrë vendim lidhur me ankimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Seanca pritet të zgjasë disa orë, ku gjyqtarët do të japin qëndrimet dhe argumentet e tyre, ndërsa më pas do të zhvillohet votimi.
Vendimi pritet të njoftohet sot ndërsa 8 gjyqtarët do të sqarojnë gjithashtu nëse ka pasur ndërhyrje të gjyqësorit në ekzekutiv dhe nëse një ministër gëzon imunitetin ligjor të një deputeti.
Ky është rasti i parë kur një ministër pezullohet nga detyra pas një kërkese të SPAK-ut, duke e vendosur çështjen në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe juridik.
Më 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.
Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.
Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend.











