Michael Pretti, babai i infemierit 37-vjeçar Alex Pretti, i cili u vra në Minneapolis gjatë një operacioni të Patrullës Kufitare, ka kërkuar që e vërteta për vdekjen e të birit të bëhet publike. Në një intervistë për Corriere della Sera, ai theksoi se prindërit e tij kishin emigrue nga Italia veriore, dhe se informimin për tragjedinë e djalit e morën nga një gazetar, dhe jo nga autoritetet.
Alex Pretti u vra gjatë një operacioni ndaj emigrantëve të paligjshëm, të drejtuar nga Greg Bovino, komandanti i Patrullës Kufitare. Prindërit e tij, Michael dhe Susan, shprehin indinjatën e tyre ndaj deklaratave të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe të Bovino-s, i cili e quajti Alex një “terrorist”. Ata insistojnë se djali i tyre ishte një njeri i mirë, që punonte si infermier në një njësi të kujdesit intensiv për veteranët dhe se ai përpiqej të mbante përkujdesje për ata që kishin nevojë.
Sipas informacioneve të publikuara, Alex po filmonte agjentët federalë me një celular në dorë kur u qëllua. Prindërit e tij kanë hedhur poshtë akuzat se ai kishte armë dhe pretendimet për një sulm ndaj agjentëve. Në deklaratën e tyre, ata kanë theksuar se Alex ishte në një situatë mbrojtjeje për një grua, duke u përpjekur t’i ndihmonte asaj.
Alex ishte shtetas amerikan, pa precedentë penali dhe me një jetë të shëndetshme sociale. Pas një divorci dhe humbjes së qenit të tij, prindërit e tij e kishin paralajmëruar të ishte i kujdesshëm gjatë protestave për shkak të situatës së tensionuar në Minneapolis. Ata thanë se Alex ishte jashtëzakonisht i shqetësuar për rrëmbimin e fëmijëve dhe emigrantëve, që i përjetonte si diçka të pafalshme.
Komunikimi i fundit i tij me prindërit ndodhi dy ditë para ngjarjes fatale, ku ai i kishte treguar se kishte ndihmuar një punëtor hispanik me një bakshish. Familja Pretti po pëpiqet të zbulojë të vërtetën mbi këtë tragjedi, duke kërkuar mbështetje nga media dhe opinioni publik.











