Kryeministri Edi Rama është gati të zbulojë emrat e anëtarëve të kabinetit të tij të katërt qeverisës. Sipas burimeve brenda Partisë Socialiste, mësohet se prezantimi zyrtar i ministrave të rinj do të bëhet më 11 shtator, ora 10:00, në Asamblenë e PS qe do zhvillohet ne Tiranë.
Por thashethemet se kush do të jenë emrat e rinj në kabinetin qeveritar kanë nisur prej kohësh dhe janë diskutuar edhe në emisionet televizive të mbrëmjes së sotme.
Kështu, gazetarja Fjorela Beleshi ka zbuluar në “Off the Record” në A2 CNN detaje nga kampi rozë, aty ku prej ditësh tashmë janë mbërthyer nga ethet e ndarjes së posteve në kabinetin “Rama 4”.
Sa i përket figurave ministrore, ato do të përzgjidhen në raport me procesin e integrimit të vendit në BE.
“Mund të kemi përveçse emra të rinj, edhe ministri të reja. Mund të kemi ndarjen e disa ministrive, por edhe krijimin e ministreve të reja. Reformat nuk do të jenë risi, pasi zoti Rama i ka përmendur edhe gjatë verës. Por edhe gjatë takimeve që ka patur, siç ishte ajo reforma për mbetjet, apo do jetë reforma për ujin e pijshëm. Janë reforma që kanë të bëjnë me integrimin dhe Shqipëria duhet ti plotësoj para se të marrë besimin e Brukselit. Ministri të reja por edhe ato që mund të rikthehen. Duhet të themi se ka një reformë për zhvillimin e territorit, mund të kemi edhe një ministri që lidhet me këtë proces. Por edhe Ministria e Inovacionit, që na rikthen te kabineti “Rama 1”. Në “Rama 4” nuk do kemi më pak ministri, por do kemi më shumë ministri të ekspozuara drejt Brukselit dhe reformave që duhen kryer. Zonja Pirdeni është një nga njerëzit që mund të rikonfirmohet. Nuk dihet në ministrin e Antikorrupsionit, që është pa portofol apo jo. Zoti Ervin Hoxha ishte një ministër i ri, por doli ndër më të votuarit në Tiranë. Një njeri jopolitik në kryeqytet, por ja doli edhe me lëshimin e terrenit nga kryeministri. Zoti Mazniku mund të jetë një nga emrat që mund të marrë peshë tjetër në kabinetin Rama 4. Ka një ministri pa portofol sot. Ka vend për të gjithë pasi do bëhen edhe ndryshime në parlament, pasi do të shtohet numri i komisioneve”, zbuloi Beleshi.
Gazetarja zbuloi se deputetë të legjislaturës së kaluar që kanë mbetur jashtë Kuvendit pas zgjedhjeve të 11 majit, kanë pasur ditët e fundit takime me kryeministrin Rama dhe mund të kemi edhe prej tyre në kabinetin e ri qeveritar.
“Edhe deputetët që nuk arritën të rinovonin mandatin më 11 maj, kanë lobime. Kanë pasur takime me kryeministrin Rama ditët e fundit. Disa prej tyre presin edhe postë ministrore. Ka emra që kanë pasur detyra partiake, por mund të jenë edhe në postë ministrore”, tha Beleshi.
Ndërsa gazetari Arbër Hitaj deklaroi se ka sinjale të qarta se “një përfaqësues i lartë i Partisë Demokratike mund të jetë ministër i Bujqësisë”.
“Rama e nisi me Vlorën, ka pasur opozitarë në Elbasan që kanë kaluar në poste drejtuese lokale, besoj që do të shtrihet edhe në qytete të tjera. Nuk ishte thjesht largim nga performanca ajo që ndodhi me bashkitë që PS kishte nën kontroll. Është diçka që do të shkojë akoma edhe më thellë. Mendoj që përveç dëshirës që mund të ketë patur zoti Rama, është edhe një vetofrim që ka ardhur nga një pjesë e atyre që kanë qenë deri dje pjesë e opozitës. Mes tyre ka edhe kandidat për deputetë të PD-së në zgjedhjet e kaluara. Flitet se një përfaqësues i lartë i Partisë Demokratike mund të jetë ministër i Bujqësisë në kabinetin “Rama 4”, tha Hitaj.
Ndërsa Eksiola Shehu tha në “Now” në Euronews Albania se një emër i diskutuar që pritet të marrë postin e ministrit, është ish-kryebashkiaku Ervin Demo.
Shehu shton se kabineti i qeverisë pritet të përbëhet nga emra të ndryshëm duke përfshirë të rinj, teknikë por gjithashtu figura politike.
“Në kabinetin e qeverisë që pritet të mblidhet të enjten e ardhshme të 11 shtatorit, mësohet se do përfshihen emra të rinj dhe teknikë por, nuk përjashtohen edhe figura politike që kanë qëndruar krah kryeministrit Rama, kur kanë qenë thjeshtë deputetë apo kryetar komisionesh dhe në një moment të caktuar i ka privuar me një post ministri.
Nëse do ketë një post apo ministri për drejtuesit politikë të qarqeve, pritet të shpërblehen ata të cilët kanë post politik, dhe një nga emrat më të diskutuar është dhe ish-kryetari i bashkisë së Beratit Ervin Demo, tashmë deputet i PS-së në këtë qark”, theksoi gazetarja Shehu.