Me pankarta në duar dhe thirrje “duam drejtësi”, banorët e Rrjollit kanë nisur sot një protestë përpara Prokurorisë së Shkodrës, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Ata kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve, ndërsa u bëjnë thirrje institucioneve të hetojnë dhe të marrin masa ligjore për këtë çështje.
Prej një jave në zonë janë zhvilluar protesta, të cilat janë shoqëruar edhe me arrestime nga policia. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa banorët kërkojnë ndalimin e punimeve dhe sqarim ligjor mbi pronësinë e tokës.
Projekti, në fjalë parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh në zonën ranore pranë Velipojës. Sipas dokumentacionit të planit zhvillimor, masterplani përfshin 33 struktura akomoduese dhe shërbimi me 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, një strukturë hoteli, si edhe disa struktura social-kulturore. Totali i sipërfaqes së ndërtimit mbi tokë parashikohet të jetë mbi 400 mijë metra katrorë.
Sipas përshkrimit të projektit, kompleksi synon të ofrojë funksione të ndryshme turistike dhe shërbime për vizitorët.











