Një 24-vjeçar është arrestuar në Itali pasi kishte kthyer dhomën e gjumit në një laborator të vërtetë kokaine. I riu u arrestua në Vittorio Veneto.
Gjatë kontrollit në apartament, policia sekuestroi rreth 1 kilogram kokainë, shuma të konsiderueshme parash në valutë të ndryshme, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me aktivitetin e paligjshëm. U gjetën gjithashtu peshore precize për matjen e dozave dhe 36 mijë euro cash në kartëmonedha me prerje të ndryshme.
Sipas hetimeve, apartamenti ishte shndërruar në një laborator të vogël për prerjen, përzierjen dhe paketimin e dozave të kokainës, e cila më pas shpërndahej në zonë. Klientët e të riut ishin sipërmarrës të njohur, profesionistë të fushave të ndryshme dhe studentë, kryesisht persona me mundësi të larta financiare.
Arrestimi u krye të premten në mëngjes, ndërsa një ditë më pas gjyqtari konfirmoi urdhër-arrestin dhe vendosi masën e paraburgimit për 24-vjeçarin, i cili përfaqësohet nga avokati Danilo Riponti.
Sipas mediave italiane, operacioni kishte në fokus goditjen e trafikut të drogës në zonën e Coneglianos. Hetuesit kishin vënë re një rritje të lëvizjes së sasive të mëdha të kokainës, të destinuara kryesisht për klientë që shpenzonin shumë.
Karabinierët nisën monitorimin e zonave më të frekuentuara të jetës së natës në bregun e majtë të lumit Piave dhe e mbajtën të dyshuarin nën survejim dhe përgjim për të identifikuar furnizuesit, bashkëpunëtorët dhe rrjetin e klientëve.
Aktualisht, 24-vjeçari shqiptar ndodhet në arrest shtëpiak, në pritje të përfundimit të hetimeve dhe procesit gjyqësor.







