Kryeministri Edi Rama ka folur sot për aksin e shembur rrugor Librazhd–Prrenjas, duke hedhur poshtë pretendimet për lidhje të mundshme me korrupsionin dhe duke theksuar se situata lidhet me faktorë natyrorë dhe kushtet e vështira gjeologjike të zonës.
Gjatë podcastit “Flasim”, Rama sqaroi se rrëshqitja e dheut ka prekur segmentin e vjetër të rrugës dhe jo aksin e ri, ndërsa theksoi se ndërhyrjet emergjente kanë nisur menjëherë pas konstatimit të dëmtimit.
“Lidhja e korrupsionit me atë rrëshqitje është zero. Ka një gjeologji të vështirë dhe rrëshqitja nuk ka afektuar aksin e ri, por rrugën e vjetër. Në një vend ku terreni malor janë afektuar ndjeshëm, siç kanë ndodhur në shumë vende, për shkak të reshjeve intensive të këtij dimri. ARRSH ka ndërhyrë menjëherë me masa emergjence, policia e shtetit prani 24 orë për të garantuar sigurinë. Puna intensive për hapjen e rrugës alternative nuk është ndalur asnjë minutë. Duhet garantuar stabilizimi i thelluar për t’i dhënë fund një herë e mirë problemit”, tha mes të tjerash Rama.










