Mbyllja e Ngushtica e Hormuzit për shkak të konfliktit që përfshin Iran po rrezikon të shkaktojë pasoja të mëdha në ekonominë globale, shumë përtej naftës dhe gazit.
Sipas një analize të BBC Verify, ndërprerja e këtij korridori kyç tregtar nga ku kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore mund të çojë në rritje çmimesh për produkte të përditshme, nga ushqimet te teknologjia dhe ilaçet.
Goditja më e madhe: ushqimi
Një nga sektorët më të prekur është bujqësia. Rreth një e treta e plehrave kimike në botë kalojnë përmes Hormuzit, përfshirë ure, amoniak dhe fosfate.
Ekspertët paralajmërojnë se ndërprerja e furnizimit në këtë periudhë kur fillon sezoni i mbjelljeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në prodhimin e ushqimit gjatë muajve në vijim.
Studimet tregojnë se një bllokim i plotë mund të rrisë çmimin e grurit me mbi 4% dhe të frutave e perimeve me më shumë se 5%, duke goditur veçanërisht vendet më të varfra.
Krizë për teknologjinë dhe shëndetësinë
Ndikimi nuk ndalet te ushqimi.
Rreth një e treta e heliumit në botë një element thelbësor për prodhimin e mikroçipave dhe për pajisjet mjekësore si skanerët MRI transportohet përmes kësaj ngushtice.
Ndërprerjet në furnizim mund të çojnë në rritje çmimesh për pajisje elektronike, por edhe për shërbime shëndetësore.
Ilaçet dhe industria farmaceutike në rrezik
Derivatet petrokimike që përdoren për prodhimin e ilaçeve si antibiotikët dhe vaksinat gjithashtu varen nga eksportet që kalojnë nëpër Gjirin Persik.
Vendet e Gjirit prodhojnë një pjesë të rëndësishme të këtyre materialeve, ndërsa zinxhirët e furnizimit janë tashmë të goditur nga konflikti, çka mund të sjellë rritje çmimesh për medikamentet.
Efekti zinxhir: bateri dhe industri
Një tjetër material i rëndësishëm është squfuri, i cili përdoret si në bujqësi, ashtu edhe në përpunimin e metaleve dhe prodhimin e baterive.
Rreth gjysma e tregtisë detare globale të squfurit kalon përmes Hormuzit, dhe çdo ndërprerje e gjatë mund të ndikojë në çmimet e produkteve që varen nga bateritë, nga pajisjet shtëpiake deri te makinat elektrike.
Një krizë që shkon përtej energjisë
Analiza thekson se ndikimi i konfliktit nuk është vetëm energjetik, por prek zinxhirët globalë të furnizimit në shumë sektorë jetikë.
Rënia drastike e numrit të anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit nga mbi 100 në ditë në vetëm disa është një sinjal i qartë se kriza mund të ketë pasoja të gjera dhe afatgjata për ekonominë botërore.










