Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kanë kremtuar Pashkën, e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit.
Në Fier, ceremonia e Pashkës u kremtua në kishën e Shën Gjergjit, ku qindra besimtarë u mblodhën brenda dhe jashtë ambienteve për të marrë pjesë në meshën e ringjalljes së Krishtit. Ata ndoqën me përkushtim liturgjinë dhe më pas morën dritë nga Drita e Zotit, duke ndezur qirinj nga Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla Hyka. Në fjalën e tij, ai theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja përfundimtare i përket së mirës dhe jo së keqes. Mes urimeve “Gëzuar Pashkët”, besimtarët shprehën dëshirën për më shumë paqe dhe dashuri në këto kohë të trazuara, ndërsa fishekzjarret ndriçuan qiellin në mesnatë.
Atmosfera festive u ndje edhe në Vlorë, ku besimtarët ortodoksë kremtuan Pashkën në kishën “Shën Theodhori”. Mesha solemne e mesnatës u drejtua nga At Konstandin Prifti, i cili përcolli urimet për paqe, dashuri dhe bashkim mes njerëzve. Kambanat ranë për të shpallur Ngjalljen, ndërsa besimtarët ndezën qirinj dhe morën pjesë në ritualet tradicionale, duke përcjellë mesazhe shprese dhe besimi.
Në Berat, ceremonia u zhvillua në Katedralen “Shën Dhimitri”, ku u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Imzot Asti. Qindra besimtarë morën pjesë në meshën e ringjalljes dhe në lutjet sipas traditës, duke marrë dritë nga Drita e Zotit. Mesnata kulmoi në sheshin qendror të qytetit, ku besimtarët ndriçuan hapësirën me qirinj në duar, ndërsa uruan për më shumë paqe, begati dhe mirësi në çdo familje shqiptare. Ata e konsideruan këtë ditë si fitoren e jetës mbi vdekjen dhe të dritës mbi errësirën.
Edhe në Elbasan, mijëra besimtarë u mblodhën në kishën “Shën Nikolla” për të kremtuar Pashkën. Mesha u drejtua nga Mitropoliti i Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit, Imzot Andoni, i cili në fjalën e tij përcolli urime për besimtarët. Ceremonia u shoqërua me lutje dhe urime të ndërsjella për më shumë paqe, dashuri dhe një jetë më të mirë.
Pashka ortodokse mbetet një nga festat më të rëndësishme për besimtarët, duke sjellë çdo vit një mesazh të fortë shprese, besimi dhe bashkimi. Në të gjithë vendin, kjo natë e shenjtë bashkoi njerëzit në lutje dhe reflektim, duke rikujtuar rëndësinë e dashurisë dhe paqes mes njëri-tjetrit.











