Që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm kanë nisur homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra me armë zjarri ditën e hënë në sallën e seancave në Gjykatën e Apelit.
Ceremonia po mbahet në Pallatin e Kongreseve, ku homazhet do të zgjasin deri në orën 11:00.
Që në orët e para të mëngjesit, në ambientet e pallatit kanë mbërritur personalitete të shumta nga sistemi i drejtësisë dhe politika, për të nderuar figurën e gjyqtarit Kalaja. Të pranishëm në homazhe janë parë: prokurorë, kolegë, avokatë, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve dhe politikës shqiptare.
Pjesë e homazheve ishte edhe deputeti i PD-së Arjan Ndoja, ish-prokuror, Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë, si dhe kryeministri Edi Rama.
I pranishëm ishte edhe Maksim Haxhija, kreu i Dhomës së Avokatëve, i cili pas homazheve dha një deklaratë për mediat. Ai u shpreh se gjyqtarët janë të demotivuar, ndërsa shtoi se kjo situatë duhet analizuar edhe tek vetë avokatët, “të cilët u japin më shumë shpresë klientëve sesa duhet”.
Zoti Haxhija theksoi gjithashtu se komuniteti i avokatëve do të vazhdojë bojkotin deri në një analizë të thellë të situatës dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar ngjarje tragjike si kjo.
“Lamtumirë njeriut të ligjit, shërbëtorit të drejtësisë e profesionistit të spikatur, Astrit Kalaja. Kontributi i tij i çmuar do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit dhe në shtetin e së drejtës. Ngushëllime për familjen, kolegët, trupën gjyqësore dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Astritin. Prehu në paqe mik i dashur!”, shprehet ministri Lamallari.
Homazhet në Tiranë do të përfundojnë në orën 11:00. Më pas, trupi i gjyqtarit Astrit Kalaja do të përcillet drejt qytetit të tij të lindjes, Shkodër, ku do të mbahen homazhe të tjera nga ora 14:00 deri në 16:00, për t’u varrosur më pas në qytetin e tij.









