Kolegji i Posaçëm të Apelimit, KPA shpalli të enjten më 12 shkurt vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të inspektores së ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Brunilda Çarçiu.
Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga gjyqtarja Natasha Mulaj, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të subjektit ndaj vendimmarrjes së KPK. Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 20 qershor të vitit 2022 të shkarkojë nga detyra inspektores së ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Brunilda Çarçiu për probleme në kriterin e pasurisë. Trupa e KPK, u nda lidhur me statusin e saj si subjekt rivlerësimi, ndërkohë që u dakordësua se mungesat financiare gjatë ushtrimit të detyrës ishin të mjaftueshme për ta shkarkuar. Ndërkohë, nuk u gjetën probleme në kriterin e pastërtisë së figurës dhe në atë profesional.
Brunilda Çarçiu kreu studimet në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në vitet akademike 1987 – 1991. Pas përfundimit të studimeve u emërua gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh, funksion që e mbajti deri më 13 maj të vitit 2000, kur me kërkesën e saj u lirua nga detyra si gjyqtare dhe u emërua si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë. Këtë detyrë, Çarçiu e ushtroi deri më 1 mars të vitit 2011, kur me urdhrin ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë u emërua pranë inspektoriatit të këtij institucioni dhe në vitin 2016 u caktua si inspektore, por kjo pasi kishin hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese për legjislacionin e vetingut ku përcaktohej se rivlerësoheshin ata që e gëzonin në atë kohë statusin e magjistratit. Megjithatë, në dhjetor të vitit 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor arriti në përfundimin se inspektorja Brunilda Çarçiu e kishte ruajtur statusin e magjistratit. /BIRN








