Sanie Selman, nëna e Ilirjan Selmanit 31-vjeçarit të arrestuar për vrasjen e Kozeta Teços në Pogradec ka mohuar kategorikisht përfshirjen e të birit në këtë ngjarje të rëndë, duke e konsideruar të pamundur që ai të ketë kryer një krim të tillë.
Në një deklaratë emocionale jashtë kamerave, ajo ka shprehur tronditjen për situatën dhe ka theksuar se djali i saj nuk ka qenë kurrë i dhunshëm.
“Pyesni në lagje dhe do ju tregojnë çfarë djali ishte. Ai nuk ngatërrohej me askënd, nuk vriste as një mizë e jo më të vriste një njeri”, tha ajo mes lotësh.
Sipas saj, Ilirjani kishte një marrëdhënie të qëndrueshme me Kozetën, pavarësisht diferencës në moshë dhe kundërshtimit të saj fillestar si nënë.
“Nuk kam qenë dakord me lidhjen, por kurrë nuk i kam kërkuar të ndaheshin. Djali e kishte pranuar ashtu siç ishte.”
Ajo ngriti dyshime për mënyrën si është trajtuar rasti nga autoritetet, duke theksuar se familja ka marrë vesh gjithçka nga mediat.
“Lexova gjëra të pavërteta. Edhe ne e morëm vesh nga televizori. Policia na erdhi në shtëpi me 15 veta. Gati ma mbytën djalin.”
Nëna e të arrestuarit theksoi edhe gjendjen e rënduar shëndetësore të të birit:
“Djali im është i sëmurë me zemër, trajtohet me kemp. I kemi ndërruar disa herë gjakun.”
Ajo u bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë më thellë:
“Kërkoj të dalë e vërteta. Ajo nuk kishte lidhje vetëm me djalin tim, por edhe me shumë të tjerë. Policia të mos mbyllë hetimet me një të akuzuar të vetëm.”