Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar në rrjetet sociale një video ku analizon atë që e cilëson si problemin themelor të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare: korrupsionin e institucionalizuar.
Në analizën e saj, Tabaku thekson se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një prioritet në procesin e integrimit europian, por çështja kyçe që shpjegon situatën aktuale ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Sipas saj, korrupsioni është arsyeja kryesore për kapjen e ekonomisë në pak duar, për pastrimin e parave, për largimin e të rinjve dhe emigracionin masiv, si edhe për humbjen e shpresës tek qytetarët.
Deputetja e PD-së kujton se ajo ka propozuar ndër vite një sërë nismash ligjore dhe një paketë të posaçme antikorrupsion, por nënvizon se përmirësimet ligjore, sado të domosdoshme, nuk janë të mjaftueshme kur mungon vullneti politik dhe kur korrupsioni është ngritur në nivel sistemi.
Sipas Tabakut, problemi nuk qëndron vetëm te ligjet, por te mënyra se si funksionon pushteti dhe te modeli i qeverisjes që, sipas saj, e prodhon dhe e ushqen korrupsionin.
Si shembull konkret, ajo përmend ligjin për koncesionet dhe Partneritetet Publike Private (PPP), i cili, pavarësisht ndryshimeve të bëra nga viti 2017 deri në vitin 2023, ka shfaqur të njëjtat problematika.
Raste si inceneratorët, koncesionet rrugore, sektori i energjisë apo skandalet në AKSHI, sipas saj, dëshmojnë se edhe një ligj i mirë, i ndërtuar mbi standarde europiane, nuk e ndalon korrupsionin kur ky është bërë pjesë e sistemit.
Në përfundim, Tabaku thekson se ndryshimi real kërkon më shumë sesa rregullime ligjore apo platforma kombëtare: kërkon ndryshimin e sistemit dhe rikthimin e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin. Sipas saj, vetëm një ndryshim i tillë mund të çlirojë ekonominë nga kapja, të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të hapë perspektivë për të ardhmen e vendit.










