Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të një videoje të hënën në rrjetet sociale, ku disa persona përfshihen në një konflikt verbal, ndërsa njëri nga ta mban në dorë një send që duket si armë.
Ngjarja ka ndodhur më 9 shkurt 2026, në lagjen Laprakë, Njësia Administrative nr. 11, pranë pallateve malajziane në Tiranë. Sipas Policisë, punonjësi i saj, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, u konfliktua me shtetasin D. H. për motive të dobëta dhe dyshohet se e ka kanosur atë me armën e shërbimit.
Si masë e menjëhershme, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit e ka pezulluar nënkomisarin dhe ka nisur hetimin disiplinor. Gjithashtu, arma e shërbimit e punonjësit, një pistoletë tip “TT”, iu bllokua për nevoja të hetimit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprime hetimore dhe procedurale, dhe materialet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Kanosja”. Policia e Shtetit thekson se hetimet vazhdojnë dhe do të merren të gjitha masat ligjore dhe disiplinore në përputhje me ligjin.











