Barcelona ka arritur një fitore shumë të rëndësishme me përmbysje ndaj Selta Vigos të shtunën në darkë, por ka qenë një sukses i shoqëruar me një lajm të keq.
Robert Levandovski la fushën e lojës i dëmtuar dhe tashmë është e konfirmuar që do të mungojë në sfidat kyçe të këtij sezoni.
Klubi doli me komunikatë duke bërë të ditur se ai kishte pësuar një dëmtim muskulor në kofshën e djathtë.
Klubi nuk jepte shpjegime mbi afatet e rikuperimit të futbollistit polak, por nga mediat spanjolle bëhet e ditur se tashmë mungesa e tij për të paktën dy ndeshje shumë vendimtare është e sigurt.
Ai do të humbasë padyshim finalen e Kupës së Mbretit kundër Real Madrid, ashtu si edhe të paktën edhe ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve kundër Interit, më 30 prill.
Shpresa e katalanasve është që ai të rikuperohet për ndeshjen e kthimit, atë të datës 6 maj, ndonëse duket thuajse e pamundur.